Serbia i kërkon ndihmë Rusisë për protestat e studentëve, por manipulon me Perëndimin
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Protestat ne Serbi
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Serbia tashmë edhe zyrtarisht ia ka shtrirë dorën e kërkesës për ndihmë nga Rusia rreth protestave studentore që po mbahen në Serbi tash e sa muaj.

Këtë e ka bërë dje ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq derisa sot një gjë të tillë e ka bërë edhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin.

Ky i fundit u takua me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Sergei Shoigu.

Që të dy raportohet se ranë dakord për intensifikimin e dialogut ndërinstitucional për t'iu kundërvënë "revolucioneve me ngjyra", duke iu referuar kështu protestave studentore kundër regjimit në Serbi.

Vulin dhe Shoigu u takuan në Moskë dhe siç thuhet në deklaratën e qeverisë së Serbisë, takimi konfirmoi "një refuzim kategorik të ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme të shteteve sovrane", shkruajnë mediat serbe, transmeton KosovaPress.

“Pala ruse shprehu gatishmërinë e saj për të vazhduar mbështetjen për popullin vëllazëror të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit. Palët ranë dakord të intensifikojnë dialogun ndërinstitucional për të kundërshtuar 'revolucionet me ngjyra'", shtohet deklarata.

Por çka do të thotë termi ‘ndërhyrje e jashtme’ që u përmend nga Vulini dhe Shoigu?

Gjatë ditës së djeshme kur ndodhi takimi mes ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe atij rus, Sergei Lavrov, në mediat serbe u zbulua një detaj. Takimi ndodhi pas një deklarate që Gjuriq e dha në Mynih  para ndërkombëtarëve, duke i lidhur protestat në Serbi me shërbimet sekrete ruse.

Burimet e N1 raportuan se protestat e studentëve po i paraqiten Perëndimit si rezultat i ndërhyrjes ruse dhe Moskës si një revolucion me ngjyra i orkestruar nga Perëndimi.

Ndërsa në Moskë flitet për përpjekjet e Perëndimit për të destabilizuar Serbinë, në Mynih.

Përkatësisht, nënkryetari i Unionit Studentor Serb, Borko Stefanoviq, thotë se ka informacione të besueshme se ka qenë Gjuriqi ai që në takime zyrtare në Mynih i ka akuzuar studentët si spiunë rusë dhe ka thënë se kryengritja e popullit në Serbi është organizuar nga shërbimi sekret rus.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025