Trumpit i pëlqen propozimi i Iranit për ta ndalur luftën, krejt dhe menjëherë
Bota
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Trumpit i pëlqen propozimi i Iranit për ta ndalur luftën, krejt dhe menjëherë
trump
06/04/2026 - 18:45
Linku u kopjua

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur “një hap shumë të rëndësishëm” përgjigjen e Iranit në propozimin e tij të fundit për paqe.

“Le të shohim se çfarë do të ndodh. Ata kanë bërë një propozim dhe është një propozim i rëndësishëm, është një hap i rëndësishëm. Nuk është i mjaftueshëm, por është një hap shumë i rëndësishëm”, tha ai të hënën, duke folur në Shtëpinë e Bardhë gjatë aktivitetit tradicional të Pashkëve.

Presidenti i bëri këto komente në një kohë kur Irani hodhi poshtë propozimin e fundit për armëpushim dhe kërkoi një përfundim të përhershëm të luftës, ndërsa afrohej ultimatumi i Trump për progres, në mënyrë që sic ka thënë ai, të shmanget një përshkallëzim edhe më i madh I sulmeve ndaj centraleve energjetike dhe urave.

Afati i Trump lidhet me hapjen nga ana e Teheranit të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje.

Trump tha se beson që Irani po “negocion me mirëbesim”, por shtoi se “ata thjesht nuk duan të thonë ‘dorëzohemi’”.

“Ata nuk duan të pranojnë humbjen, por do ta bëjnë”, tha shefi I Shtëpisë së Bardhë, përcjellë AP, transmeton KosovaPress. “Dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë nuk do të kenë ura, nuk do të kenë centrale energjetike, nuk do të kenë asgjë. Nuk do të shkoj më tej, sepse ka gjëra edhe më të këqija se këto dyja”.

Trump bëri edhe një koment interesant teksa foli për popullin iranian kur tha se ata “zemërohen” kur “nuk dëgjojnë shpërthime”.

“Ata duan të dëgjojnë shpërthime sepse duan të jenë të lirë. Dhe arsyeja e vetme pse nuk dalin në protesta është sepse janë paralajmëruar se nëse protestojnë…do të qëllohen menjëherë”, tha ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026