Trump njofton zgjatjen e armëpushimit Izrael-Liban
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Trump njofton zgjatjen e armëpushimit Izrael-Liban
Donald Trump 19
Foto Arkiv
24/04/2026 - 10:17
Linku u kopjua

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit është zgjatur edhe për tre javë të tjera, pas një takimi mes zyrtarëve izraelitë dhe libanezë në Zyrën Ovale.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se takimi, ku morën pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, “shkoi shumë mirë”. Ai shtoi se SHBA-ja do të punojë me Libanin për ta ndihmuar të mbrohet nga Hezbollah.

Ndërkohë, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se nuk është i sigurt nëse armëpushimi do ta ndalë plotësisht konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut.

“Qeveria libaneze nuk ka kontroll mbi Hezbollahun. Ata po hedhin raketa për të sabotuar armëpushimin dhe Izraeli duhet të kundërpërgjigjet”, tha ai për CNN, sipas BBC, transmeton KosovaPress.

Komentet e tij erdhën pasi ambasadorët izraelitë dhe libanezë në SHBA u takuan në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump shpalli zgjatjen e armëpushimit ekzistues 10-ditor.

Ndërkohë, çmimet e naftës janë rritur lehtë në tregjet aziatike edhe pas njoftimit për zgjatjen e armëpushimit. Nafta Brent u rrit për 0.7 për qind, duke arritur në afro 105.80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit për 0.6 për qind në 96.50 dollarë.

Rritja e çmimeve vjen pasi Trump deklaroi se SHBA-ja do të shtyjë sulmet ndaj Iran deri në paraqitjen e një “propozimi të unifikuar” nga Teherani.

Në të njëjtën kohë, transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet kryesisht i bllokuar, duke shkaktuar pengesa në rrjedhat globale të energjisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026