“Tronditi themelet e shtetit”, Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit është jokushtetues
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Tronditi themelet e shtetit”, Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit është jokushtetues
Enver Hasani
06/03/2026 - 11:02
Linku u kopjua

Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarje të Kuvendit dhe dërgim të vendit në zgjedhje të reja është jokushtetues, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë me shkrim për KosovaPress thotë se dështimi për zgjedhjen e presidentit të enjten nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

Sipas tij, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Andaj ai e sheh të nevojshme që gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar, siç thekson, erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

Ai thekson se me vendimin e sotëm të Osmanit janë tronditur themelet e “rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot”.

Hasani tregohet i ashpër me Osmanin, meqë sipas tij me vendimin e sotëm po tenton të ndryshojë formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Kjo është intervista e plotë:

KosovaPress: Profesor Hasani, çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese ka moszgjedhja e presidentit dje?

Hasani: Asnjë pasojë juridike nuk mund të prodhojë dhe nuk prodhon shkelja e afatit tridhjetëditor.

KosovaPress: Presidentja dekretoi shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje. A është në përputhje me Kushtetutën ky dekret?

Hasani: Vetëm kur ekziston pajtimi i të gjitha partive politike mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit si rrjedhojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor. Asnjëherë ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe vitin që shkoi, kur Kosova shkoi në zgjedhje pa Kuvend të konstituuar; pati një pajtim të heshtur të të gjithëve. Kjo siç u bë sot e ndryshon formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm amendamenti kushtetues. Mënyra si u bë kjo paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit.

KosovaPress: Prisni kontestim nga LVV-ja në Gjykatën Kushtetuese?

Hasani: Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

KosovaPress: A duhet të diskutohet për datën e zgjedhjeve para vendimmarrjes së Kushtetueses?

Hasani: Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror.

Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial.

KosovaPress: Si e keni parë bazueshmërinë kushtetuese në ankesën e LVV-së dhe kërkesën për masë të përkohshme të afateve për zgjedhjen e presidentit?

Hasani: Kërkesa e VV-së nuk është çështje kushtetuese dhe nuk ka objekt për shqyrtim kushtetues.

Objekt shqyrtimi kushtetues mund të jetë vetëm dekreti skandaloz dhe tërësisht arbitrar e i papërgjegjshëm i zonjës Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sepse me të janë tronditur themelet e rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot./E.Zeqiri/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026