Tri anije sulmohen pranë Ngushticës së Hormuzit, shtohet frika për rritje të çmimit të naftës
Të paktën tre anije janë sulmuar pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Irani vazhdon të nisë sulme në të gjithë Lindjen e Mesme në përgjigje të një sulmi të vazhdueshëm kundër tij nga SHBA-të dhe Izraeli.
Dy anije janë goditur dhe një "predhë e panjohur" raportohet se ka "shpërthyer shumë afër" një të trete, tha Qendra e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
Irani ka paralajmëruar anijet të mos kalojnë nëpër ngushticën, e cila transporton rreth 20% të naftës dhe gazit në botë.
Transporti ndërkombëtar detar pothuajse ka ndaluar në hyrje të ngushticës, me frikën e ndërprerjeve që tashmë po rrit çmimet globale të naftës, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha se tre tankerë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja ishin “goditur nga raketa dhe po digjen”. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja nuk kanë komentuar.
UKMTO tha se "incidente të shumta sigurie" ishin raportuar në të gjithë Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit, dhe u ka këshilluar anijeve të "tranzitojnë me kujdes".
Të paktën 150 anije cisterna kanë hedhur spirancën në ujërat e hapura të Gjirit përtej Ngushticës së Hormuzit, megjithëse një numër i vogël anijesh iraniane dhe kineze kanë kaluar sot, sipas platformës së gjurmimit të anijeve Kpler.
"Për shkak të kërcënimeve të Iranit, ngushtica është praktikisht e mbyllur", tha për BBC News Homayoun Falakshahi nga Kpler.
"Anijet kanë marrë një masë paraprake për të mos hyrë, pasi rreziqet janë shumë të larta dhe kostot e tyre të sigurimit janë rritur ndjeshëm."
Ai tha se SHBA-të ka të ngjarë të përpiqen të mbrojnë rrugët e transportit detar , të cilat, nëse janë efektive, do të parandalojnë një rritje të çmimit të naftës, por nëse ngushtica mbetet e mbyllur për një periudhë të gjatë, çmimet mund të shkojnë "shumë, shumë më lart".