Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka shënuar një nga periudhat më të suksesshme në procesin e deklarimit, rregullimit dhe rikthimit të pronës publike, rritjes së prodhimit dhe forcimit të performancës financiare, duke rikthyer mbi 1250 hektarë tokë dhe duke dyfishuar të hyrat nga qiraja.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, tha për KosovaPress se gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026 janë arritur rezultate të prekshme në konsolidimin ligjor të pronave, rritjen e prodhimit dhe menaxhimin e aseteve strategjike të ndërmarrjes.
Sipas Ahmetit, janë identifikuar dhe rikthyer prona në Mitrovicë të Jugut dhe të Veriut, ndërsa disa prej tyre janë vënë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera publike.
“Realisht ne i kemi të identifikuar Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut. Për momentin i kemi identifikuar disa prona që më herët nuk kanë qenë të identifikuara. Realisht kemi fletën poseduese dhe kopjen e planit për pjesën veriore. Gjithashtu, këtu duhet të theksoj se pas kthimit të këtyre pronave ne e kemi ndihmuar Policinë e Kosovës: mbi 5000 metra katrorë i kemi dhënë në shfrytëzim për Policinë e Kosovës që të shfrytëzohen për zyra. Gjithashtu i kemi ndarë edhe dy objekte që janë në pronësinë e Ndërmarrjes Trepça. Kemi bërë një marrëveshje memorandumi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, realisht këto do të shfrytëzohen, sipas informatave që i kemi, ose për gjykata ose për institucione të tjera publike”, thakryeshefi i Ndërmarrjes “Trepca“, Faton AhmetiAi tha se janë krijuar grupe punuese për identifikimin e pronave dhe rregullimin e titullarëve.
“Në aspekt të hyrave, ne kemi realizuar një rritje jashtëzakonisht të madhe, mbi 116 për qind rritje të të hyrave nga qiraja. Konkretisht, mund të themi se më herët kemi pasur të hyra rreth 28 mijë euro mujore, ndërsa tash i kemi afro 70 mijë euro të hyra mujore, dhe kjo është duke shkuar çdo muaj në rritje, për arsye se vetëm këtë muaj kemi bërë diku mbi 25 shpallje të reja, të cilat në mënyrë automatike do të reflektojnë në rritjen e të hyrave nga qiraja“, tha Ahmeti.
“Po, sa i përket prodhimit, ne kemi realizuar planin në eksploatimin e xehes mbi 105 për qind, e kemi realizuar planin në prodhimin e koncentratit mbi 115 për qind dhe e kemi realizuar planin e biznesit në prodhimin e zinkut mbi 100 për qind. Nëse e krahasojmë tash vitin 2024 me vitin 2025, ne në çdo pozicion kemi një rritje të jashtëzakonshme. Sa i përket rritjes në eksploatimin e xehes, e kemi diku mbi 57 mijë ton rritje, apo mbi 61 për qind. Rritje kemi edhe në prodhimin e koncentratit të plumbit, rreth 117 për qind, gjithashtu edhe në prodhimin e zinkut kemi mbi 86 për qind“, përfundoi ai.
“Jemi në pjesën më të rëndësishme të pamjeve për pronat e Trepçës. Këtu përpara, sikur po mund ta shihni, e kemi zonën kadastrale Shupkovc dhe pronat që gjenden në Komunën e Mitrovicës, siç është zona kadastrale e Mitrovicës dhe Shupkovcit. Këtu përpara e kemi Parkun Industrial, i cili është i shtrirë në disa njësi, e kemi Terminalin Doganor që tash është duke operuar, e kemi industrinë e baterive, e kemi metalurgjinë e zinkut dhe e kemi industrinë kimike; këto janë pronat që i kemi digjitalizuar. Në pjesën mbrapa meje është zona kadastrale e Mitrovicës, ku e kemi të vendosur fabrikën e pajimeve dhe procesit, ndërsa në Zveçan e kemi Metalurgjinë e Plumbit, që ka qenë edhe ajo është zonë e jona, ndërsa në kodrat për rreth janë zonat e Boletinit prona të Trepçës, të cilat tashmë i ka në pronësi”, tha Hajdini.
Ai vuri në dukje se vetëm në Mitrovicën Veriore janë rikthyer 91 parcela, apo 13 hektarë tokë, me vlerë financiare rreth 24 milionë euro.
Me rikthimin e mbi 1250 hektarëve tokë, rregullimin ligjor të titullarëve dhe rritjen e ndjeshme të të hyrave dhe prodhimit, Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka konsoliduar pronësinë publike dhe ka forcuar menaxhimin e aseteve strategjike. Procesi i digjitalizimit, bashkëpunimi me institucionet publike dhe organizimi i pronave e vendosin Trepçën në një pozicion më të qëndrueshëm financiar dhe operativ, duke hapur rrugë për zhvillim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme. /A.Pllana/