Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova deklaroi se nuk ka pasur asnjëherë presion dhe ndërhyrje në punën e gjyqtarëve.
Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara nuk do të komprometojnë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës.
Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile, kryetarja e Dhomave të Specializuara u shpreh se udhëhiqen nga ligji dhe nuk kanë presion apo ndërhyrje.
“Nuk ka pasur asnjëherë presion, ndërhyrje në atë që ne bëjmë. Ne udhëhiqemi nga ligji dhe nga faktet e çështjes, kaq, dhe këtë e pohoj për të gjithë kolegët, për të gjithë gjyqtarët. Unë nuk po i mbroj ata. Ju duhet të jeni të sigurt se unë jam shumë e vëmendshme kur vëzhgoj, sepse është interesante për mua, është e rëndësishme kur t’ju takoj është mirë të kem përgjigje bazuar në përshtypjen time personale se si zhvillohet seanca. Për këtë, jam absolutisht, plotësisht e sigurt se nuk ka asnjë ndërhyrje”, deklaroi ajo.
"Gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do të komprometojnë kurrë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës. Dhe në një kohë që do të vijë, do të takohemi dhe nuk do të turpërohem të përballem me ju, ju që më thoni në fakt kjo nuk është e vërtetë. Por kjo është se si funksionon. Nuk është e mundur, për shembull, ajo që ka ndodhur javën e kaluar me z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi, për të cilët është marrë vendim i ndërmjetëm nga gjyqtarët. Vendim i ndërmjetëm për t'u izoluar dhe gjithashtu për t'u kufizuar në komunikimin e tyre pa diskutim, absolutisht me avokatët e tyre, nuk ka dyshim për këtë dhe me disa familjarë. Por gjyqtarët dhanë, siç thonë ata, vendim të ndërmjetëm. Pse? Sepse donin të merrnin një justifikim të duhur, domethënë të siguronin fakte dhe prova nga prokurori specialist që i sheh me këtë kërkesë urgjente, me këtë ‘mocion urgjent’ - kështu u quajt”, deklaroi ajo.
Ditë më parë, Gjykata Speciale ka marrë vendimin lidhur me kërkesën urgjente të prokurorisë për ndërprerjen e të gjitha vizitave dhe komunikimeve për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Kryetarja e Gjykatës Speciale deklaroi sot se do të merret vendimi përfundimtar për këtë mocion urgjent.
Trendafilova nuk komentoi dënimin për krime lufte prej 26 vitesh për Salih Mustafën, teksa u pyet nëse një vendim i tillë është i drejt.
Para fillimit të kësaj konference, është mbajtur një protestë e organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ku ka eskaluar edhe në dhunë. /Sh.Pajaziti
Dhunë dhe arrestime, gjithçka çka ndodhi në protestën e PSD-së kundër Trendafilovës - KosovaPress
Klinaku: Protestën e PSD-së e mbështetëm për të kundërshtuar veprimin e Trendafilova - KosovaPress