Tre fëmijë po vazhdojnë të marrin trajtim spitalor në Klinikën e Kirurgjisë Plastike pas lëndimeve që kanë marr në natën e ndërrimit të motmotit nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress kirurgu i Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Agim Berisha i cili tha se gjatë këtij viti kanë pranuar më pak raste.
Por që, fatmirësisht, siç tha ai, gjendjen shëndetësore e kanë jashtë rrezikut.
“Krahasuar me vitet tjera ka pas më pak të pranuar. Vizita ka pasur sporadike. Më 31 janë pranuar dy raste, një e kemi të pranuar më herët dhe ai i është nënshtruar operimit. Janë fëmijë, janë lëndime të shuplakës së dorës, gishta. Gjendjen e përgjithshme shëndetësore nuk e kanë në rrezik”, theksoi ai.
Por, ai bëri thirrje për kujdes gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike pasi siç u shpreh, invaliditeti mund të jetë i madh.
“Fëmijët janë ende të hospitalizuar janë në Klinikë duhet ende trajtim. Popullata ka qenë më e vetëdijesuar por ende duhet me rënë, sepse nga mjetet piroteknike është invaliditeti i rëndë. Është mirë që ato mjete piroteknike t’i kontrollojë shteti, me ditë ku me i hedh, në cilat vende” tha ai.