Policia e Kukësit arrestoi dy 17-vjeçarë që vodhën dy herë në të njëjtin lokal, si dhe goditën transportimin e 18 sirianëve, për kalimin ilegal të kufirit.
Ndërkohë, Policia e Korçës vuri një pranga një 60-vjeçar të dënuar me rreth 7 vjet burgim, si pjesëtar të një grupi kriminal që transportonte emigrantë, si dhe goditi një rast të futjes së kundërligjshme, nga Greqia, të disa bagëtive, me qëllim tregtimin e tyre.
“260 pako dhe 46 thasë me produkte të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, u sekuestruan nga 2 subjekte postare private. Administratori i njërit subjekt u arrestua, administratori i tjetrit u shpall në kërkim. Bashkëpunimi i Policisë së Elbasanit me qytetarët parandaloi agravimin e një konflikti midis 5 shtetasve dhe vuri 2 prej tyre në pranga, si dhe identifikoi autorin e dyshuar të një plagosjeje të lehtë, me mjet shpues (kaçavidë). Policia e Durrësit sekuestroi një kallashnikov, fishekë dhe 54 kapsolla detonatore, si dhe vuri në pranga 31-vjeçarin që i mbante këto sende të kundërligjshme, në banesë. Policia e Shkodrës arrestoi 2 shtetas, pasi mbanin sasi lënde narkotike kanabis të ndarë në doza, të gatshme për shitje”, thuhet në njoftim.