Në tryezën me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”, është thënë se trajtimi dhe parandalimi i dhunës së fëmijëve është i domosdoshëm.
Në këtë tryezë të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ministrja e MAShT, Arbërie Nagavci ka thënë se sfidë vazhdon të mbetet raportimi i rasteve të dhunës në shkolla.
Nagavci ka treguar se janë në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologëve dhe pedagogëve, e ku theksoi se aktualisht në nivel vendi janë 146 staf psikologë e pedagogë.
“Jemi në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologeve dhe pedagogëve në mënyrë që të ofrohet një shërbim profesional në shkolla. Këtu situata është mjaftë shqetësuese që në nivel komunash shumë herë buxheti që është ndarë për psikolog dhe pedagog është përdorur nga ana e komunave për punësime të kuadrove tjera. Ndonëse në buxhet janë paraparë 520 psikolog aktualisht në nivel vendi kemi gjithsej 146 staf psikologë dhe pedagogë”, tha ajo.
“Qëllimi i këtij takimi është diskutimi përkitazi me integrimin e politikave dhe shërbimeve për trajtimin ndaj dhunës së fëmijëve me fokus në shkollë[...]Dhuna në shkollë mbetet një dukuri shqetësuese në vendin tonë, plagosjet me thikë e deri tek akti më i rende i marrjes se jetës janë raportuar e po raportohen në vazhdimësi kjo si forme me e dhunshme ndërkohë që format tjera të buta të dhunës ndaj fëmijëve i shfaqin pothuajse çdo ditë. Personalisht isha dëshmitare para dy dite se si një fëmijë goditej me shuplakë në fytyre në publik, ishte ngjarje goxha tmerruese, gjë që më beri të kuptojë se në këtë tryezë jemi paksa të vonuar”, tha ai.
Larissa Brunn nga Zyra e UNICEF në Kosovë tha se statistikat janë ato që flasin vetë dhe se bashkërisht duhet t’i bashkojmë sektorët që ta trajtojmë këtë fushë.
Petrit Tahiri anëtar i bordit të KOMF thotë se e vetmja zgjidhje për parandalimin e këtyre rasteve të dhunës së fëmijëve është trajtimi, referimi dhe raportimi.
“Ashtu siç janë të shumta dhe të larmishme shkaqet e dhunës në shkolla, po aq të shumta dhe të larmishme do të duhej të ishin edhe intervenimet. Pra qasja uniforme ndaj problemit të dhunës nuk është se do të sjellë rezultat. E vetmja gjë që do duhej të jetë uniforme për gjithë shoqërinë është angazhimi i gjithëve se rastet e dhunës pa marrë parasysh intensitetin e tyre të trajtohen, referohen dhe raportohen”, tha ai.
“Ajo çfarë unë kam potencuar dhe që është e domosdoshme që edhe ne si politike-bërës ta shtyjmë përpara është që brenda programit për arsim në programin qeverisës 2021-2025 të kemi një program për zhvillim psikologjik dhe social të fëmijëve. Për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë program adekuat për përkrahje emocionale dhe sociale për fëmijët duke u nisur nga kopshti, parashkolloret edhe nga niveli i ulet arsimor. Sepse nëse më të vërtet duam ta zgjidhim çështjen duhet ta luftojmë dhe punojmë shumë në parandalimin e pasojave”, shprehet Reshitaj.
Në Kosovë, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, 72% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë në mjediset familjare.