Trajneri turk i futbollit, Hikmet Karaman e konsideron Kosovën një kundërshtar shumë të fortë dhe paralajmëron se Turqinë nuk e pret një ndeshje e lehtë në finalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, që luhet të martën në Prishtinë.
Ai, në një intervistë për gazetën Hurryet, thekson se kjo është një ndeshje vendimtare dhe shumë e vështirë për kombëtaren e tij.
Sipas tij, Kosova është një skuadër e organizuar dhe e rrezikshme dhe këtë e vërteti edhe në grupin kualifikues për Kupën e Botës, jo vetëm ndeshjen Sllovaki–Kosovë.
“Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, që ishin në grupin e Kosovës, janë ndër skuadrat më të mira për mbrojtjen zonale, tranzicionet, kundërsulmet dhe goditjet standarde. Dhe Kosova doli nga ai grup. Kushtoni vëmendje! Ata e mundën Suedinë në të dy ndeshjet, fituan 2-0 në transfertë ndaj Sllovenisë dhe barazuan me Zvicrën që doli e para në grup. Pra, nuk na pret një ndeshje e lehtë”, deklaroi Karaman.“Do të luajmë në transfertë, tifozët e Kosovës do ta mbështesin jashtëzakonisht shumë ekipin e tyre dhe shpallja e bonuseve rekord nga kryeministri i tyre do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di kur do të shkojë kombëtarja jonë atje, por është e rëndësishme që ta përjetojnë herët atmosferën e stadiumit. Sepse kjo është një ndeshje e vetme; fituesi shkon në Kupën e Botës”, tha ai.
Karaman tha se Kosova është një ekip shumë i forte, pason shumë mirë në tranzicion dhe nën presion”, është veçanërisht efektiv në kundërsulme, krosime dhe goditje standarde, ndërsa shtoi se trajneri Franco Foda cilësohet si shumë i përgatitur.