Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka bërë thirrje për Cristiano Ronaldon që të lihet i qetë pasi që mohoi spekulimet se superylli dëshironte të largohej nga grumbullimi me kombëtaren pasi që u la në bankën rezervë në fitoren 6:1 kundër Zvicrës në kuadër të Kupës së Botës.
Ronaldo i nevrikosur mohoi spekulimet nga shteti i tij se ai donte të paketonte valixhet dhe të largohej nga kampi i tyre në Kupën e Botës, pasi zbuloi se ai do të ishte një zëvendësues në ndeshjen me Zvicrën.
Në një konferencë për media para ndeshjes me Marokun të shtunën, Santos tha:
“Ai kurrë nuk më ka thënë se dëshiron që të largohet. Është koha për t’i dhënë fund kësaj. Ai u largua nga zhveshtorja kundër Zvicrës, u ngroh, bëri një vrapim që të festonte golat me bashkëlojtarët e tij”, tha Santos.
Santos foli edhe për momentin kur i kumtoi lajmin Ronaldos që do të jetë rezervist, ku insistoi se kishin një bisedë normale dhe mund ta kuptonte pse lojtari nuk ishte i lumtur.
“Ai kurrë nuk më ka thënë se dëshiron të largohet. Ai nuk ma tha këtë mua. Duhet ta shihni se si është sjellja e tij. Ai festoi golat me bashkëlotjarët e tij, i falënderoi tifozët”, tha Santos.
Kur një lojtar është kapiten i Portugalisë dhe fillon ndeshjen nga banka rezervë, është normale që ai të mos jetë i lumtur. Kur i thashë se nuk do të luante si titullar, ai më pyeti nëse ishte një ide e mirë. Sigurisht që ai nuk ishte i lumtur. Por unë ju siguroj se ai kurrë nuk ka dashur të largohet”, shtoi më tej Santos.
Ky vendim i Santos erdhi si pasojë e reagimit të zemëruar të Ronaldos për t'u zëvendësuar në humbjen e Portugalisë në fazën e grupeve ndaj Koresë së Jugut.