Trajneri i Francës, Thierry Henry e quajti sjelljen e disa prej lojtarëve të tij të papranueshme pasi fitorja e tyre 1:0 në çerekfinalen olimpike ndaj Argjentinës në Bordo përfundoi në një përleshje dhe një karton të kuq për mesfushorin Enzo Millot.
Franca nikoqire eliminoi Argjentinën të premten për t'u hakmarrë për humbjen e vendit në finalen e fundit të Kupës së Botës në një rivalitet të ashpër të nxitur së fundmi nga një video e lojtarëve argjentinas, që drejtonin thirrje raciste ndaj lojtarëve francezë, raporton KosovaPress.
"Unë nuk jam dakord me atë që ndodhi në fund", i tha Henry transmetuesit argjentinas “TyC Sports”.
"Një nga lojtarët e mi mori një karton të kuq dhe unë nuk e pranoj këtë, nuk duhet të ndodhë. Shkova t'i shtrëngoja dorën trajnerit argjentinas Javier Mascherano dhe, kur u ktheva, kishte ndodhur", tha më tej Henry.
“Ne u përpoqëm të luanim mes linjave, por ishte shumë e vështirë”, tha ish-reprezentuesi francez.
"Argjentina kishte posedimin e topit dhe ne luajtëm në kundërsulm. Goli erdhi shpejt, nuk dua të them se kjo na trembi, por ne duhej të prisnim më shumë. Kjo nuk është aq e lehtë", tha më tej Henry.