Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) publikoi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën.
Gjatë publikimit të tij, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë.
Blinken tha se rreth 27 milionë individë në të gjithë botën janë të shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial. Nëpërmjet forcës, mashtrimit dhe detyrimit, ata detyrohen të punojnë në fusha dhe fabrika, në restorante dhe banesa. Viktima janë individët më të pambrojtur në botë – duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë.
Raporti i ndan vendet në tri nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale. Në nivelin e dytë hyjnë ato vende, përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale, por që qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.
Si Shqipëria ashtu edhe Kosova renditen këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë.
Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme. Ato përfshinin dënimin e të gjithë trafikantëve me burgim, aty ku ishte e përshtatshme dhe mos shqiptimin e ndonjë dënimi vetëm me gjobë.
Por, në raport konstatohet se megjithatë, Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.
“Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga Ligji kundër trafikimit”, thuhet në raport.
Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen me forcë të krimeve të trafikimit si dhe dhënien e masave të duhura të dënimit për trafikantët, duke përfshirë zyrtarët që bashkëpunojnë me ta.
Po kështu kërkohet identifikimi në mënyrë proaktive i viktimave të trafikimit duke kontrolluar treguesit e trafikimit mes popullatës së ndjeshme përfshirë individët e përfshirë në seks komercial; fëmijë; komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.
Po kështu kërkohet forcimi i masave të ruajtjes së privatësisë së viktimës e që informacionet e tyre të mos shpërndahen.
Në raport po ashtu sugjerohet rritje e mbështetjes së Qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional si dhe riintegrimit të viktimave.
Përpjekjet përfshinin hetimin e trafikantëve të seksit, identifikimin e një numri më të madh viktimash të mundshme në bashkëpunim me organizatat joqeveritare si dhe ofrimin e shërbimeve për më shumë viktima.
Por, në raport shtohet se megjithatë Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.
Po kështu konstatohet se policia dhe prokurorët e rretheve nuk kanë përvojën dhe specializimin e duhur për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e trafikimit dhe se autorët e dyshuar janë dënuar për krime më të vogla, si "shfrytëzim prostitucioni", në vend të trafikimit.
Në raport thuhet se Qeveria nuk ka kontrolluar vazhdimisht atë pjesë të komunitetit që potencialisht mund të jetë viktimë e trafikut si emigrantët, azilkërkuesit, komunitetet rom dhe egjiptian, si dhe fëmijët.
Në raport thuhet se Policia e Shtetit hetoi 26 raste, krahasuar me 85 raste në vitin 2022.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm ndoqi penalisht tetë raste të reja (shtatë për trafikim seksual dhe një për një formë të papërcaktuar trafikimi), krahasuar me 17 raste të reja në 2022. Po kështu vijoi të ndiqte penalisht 42 raste të nisura në vitet e mëparshme. Më vete, Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi një hetim të ri (dy në vitin 2022) dhe vazhdoi ndjekjen penale të dy rasteve të nisura në periudhat e raportuara.
Në vitet e kaluara, gjyqtarët dënuan disa trafikantë me dënime të buta, të tilla si dënimi me kusht, që reduktoi përpjekjet për t'i mbajtur trafikantët përgjegjës, dobësoi mekanizmat parandalues dhe krijoi shqetësime lidhur me sigurinë tek viktimat.
Në raport thuhet se Qeveria nuk njoftoi ndonjë hetim të ri, ndjekje penale, apo dënim të punonjësve të qeverisë bashkëpunëtorë në krimet e trafikimit të qenieve njerëzore, duke shtuar se korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve, në krimet e trafikimit vazhdon të jetë shqetësim.
Po kështu kërkohen dënime të konsiderueshme me burgim për autorët dhe trajnim i gjyqtarëve në të gjitha nivelet për të marrë parasysh ashpërsinë e trafikimit gjatë dhënies së dënimeve.
Po ashtu kërkohet që të ketë policisë dhe prokurorëve të specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto vepra penale.