Gazetarja dhe analistja, Dijana Toska ka thënë se pajtohet me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti se rinia duhet të marrë përgjegjësi për ndryshimet, por por vetëm nëse kanë autonomi dhe pavarësi të veprimit ngase pa një revolucion rrënjësor nuk do të mund t’i arrijnë kurrë vlerat e standardet evropiane të të rinjve të Evropës, as në nivel kombëtar e as global.
Ajo ka shkruar se rinia po largohet nga ky vend jo nga standardi i ulur por nga zullumi, padrejtësia nga injoranca, nga milionerët hajdut, nga nëntoka e partive, nga pleshtat, nga tradhtarët të cilët edhe Zotin e kanë futur në listën e biznesit.
.................
Komenti i plotë:
Pajtohem me ty Ali se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellur shekulli i ri, por çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga kjo rini kur me veprimet tona të përditshme i kemi asimilu nga çdo vlerë.
Rinia është produkt i një shoqërie andaj çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga ata kur si shoqëri fillimisht nuk i kemi edukuar, nuk i kemi ndërgjegjësuar as nuk ju kemi dëshmuar si model për rolin që kemi patur në ndërtimin e një shoqërie demokratike e aq më parë kur asnjëherë për këto 30 vite, rinia nuk është përfshirë si partnere e denjë në qeverisje, por është llogaritur vetëm si një mashineri votuese për kusuritje brenda korpusit propagandues politik partiak.
Çfarë mesazhi i dërguat të rinjve kur përzgjodhët mbi njëmijë e kusur të rinj i shndërruat në parazit që të marrin rroga duke ndejtur shtrirë në shtëpi, në vend që të ishte e kundërta të shkojnë në punë, të mësojnë se si funksionon administrata publike e shtetit të tyre, të profesionalizohen e të fitojnë parat me ndershmëri. Ky primitivizëm e hesap partiak vuri në lajthitje e mashtroi një pjesë të madhe të rinisë për të zgjedhur rrugën më të lehtë për të ndërtuar karrierë, në vend që të fokusoheshin në arsimim sa më cilësor e të bëheshin zot të vetvehtes, ata zgjodhën, mosdijen, dëgjueshmërinë, përkuljen dhe duke futur një librez partiake në një xhep, në xhepin tjetër futën dhe krenarinë bashkë me dinjitetin e tyre.
Shumë familje investuan në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre duke ndarë nga kafshata e gojës për një të nesërme më të mirë. Por, në konkurset e hapura nga institucionet e ndryshme shtetërore këta fëmijë edhe pse i plotësonin kushtet nuk arritën kurrë mundësinë për tu punësuar sepse u kërkohej si kusht edhe libreza partiake. Këta të rinj sot ndjehen inferior ndaj vetvetes dhe kërkojnë modalitete të tjera jetësore për ta rigjetur veten sepse kushtëzimet partiake u kanë hendikepuar ardhmërinë.
Në anën tjetër fëmijët e milionerëve partiak sot luajnë rolin e bossave tek të rinjt, duke shetitur me vetura të shtrejta e veshje firmato përbuzin të drejtat e fëmijëve tjerë, mbyllin restorane e diskoteka, përdhunojnë vajza, thejn ligjin, abuzojnë me narkotik, dhe fatkeqësisht për të gjitha keqpëedorimet nuk dënohen, sepse janë pjella e të fortit dhe për ta vlera e vetme janë paratë që i bën të fortë, duke dhënë shembullin më të poshtër që mund të japë një politikan shqiptar bashkë me familjen e tij.
Rinia po largohet nga ky vend jo nga standardi i ulur por nga zullumi, padrejtësia nga injoranca, nga milionerët hajdut, nga nëntoka e partive, nga pleshtat, nga tradhtarët të cilët edhe Zotin e kanë futur në listën e biznesit.
Pajtohem me ty Ali se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellur shekulli i ri, por vetëm me një kusht nëse kanë autonomi dhe pavarësi të veprimit ngase pa një revolucion rrënjësor nuk do të mund ti arrijnë kurr vlerat e standardet europiane të të rinjve të europës as në nivel kombëtar e as global. Sepse, koncepti i të rinjve nuk është një lindje që përcaktohet thjesht biologjikisht me vitet, ai ndryshon me kohën, me zhvillimin teknologjik bashkë me aspiratat që një shoqëri i vendos vetes.
Me respekt,