Në Tiranë çdo gjë është gati për të filluar Samiti BE-Ballkani Perëndimor, raporton KosovaPress. Ky samit, është i pari që po zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe ka në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit.
Në këtë samit, Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani e cila do të theksojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit.
Arritja e liderëve do të fillojë nga ora 9:30 dhe ata do të priten në Sheshin Italia nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa punimet e samitit do të zhvillohen në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare.
Krerët e Bashkimit Evropian do të presin përkushtimin e vendeve të rajonit ndaj vlerave të përbashkëta dhe në fund do të nënshkruhet deklarata që do të njihet “Deklarata e Tiranës”.
Kjo është hera e parë qe Tirana mirëpret krerët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.