Përtej intensitetit të fushës, vëmendjen kryesore në sfidën ndaj Liverpoolit e mori një gjest i jashtëzakonshëm i tifozëve turq, të cilët shpalosën një tifo gjigante në nderim të nënës së ndjerë të Victor Osimhen.
Pamja emocionuese shfaqte sulmuesin nigerian përkrah fëmijëve të tij, ndërsa mbi ta buzëqeshte nëna e tij, Christiana, e cila u nda nga jeta kur ai ishte vetëm tre vjeç. Mesazhi "Ne jemi familje, dhe familja është gjithçka" e përloti yllin e Galatasarayt, i cili u pa në emocione përpara nisjes së takimit, duke deklaruar pas ndeshjes se ky gjest e bëri të ndihej më i vlerësuar se kurrë në karrierën e tij.
Kampionët turq udhëtojnë tani drejt "Anfield" me një avantazh minimal por jetik për ndeshjen e kthimit që luhet javën e ardhshme. Edhe pse rezultati mbetet i hapur, mbrëmja e djeshme do të mbahet mend gjatë jo vetëm për fitoren, por për lidhjen e rrallë shpirtërore që u krijua mes stadiumit dhe golashënuesit të tyre.
KosovaPress