Thirrje të fuqishme për drejtësi nga të mbijetuarit e dhunës seksuale
3-Third
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Thirrje të fuqishme për drejtësi nga të mbijetuarit e dhunës seksuale
heroinat 140426
14/04/2026 - 10:08
Linku u kopjua

Me thirrje të fuqishme për drejtësi, sot pranë memorialit “Heroinat”, u mbajtën homazhe në shënim të Ditës Memoriale të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale që ishin të pranishëm theksuan se kjo datë nuk është vetëm një moment reflektimi, por edhe një thirrje për veprim konkret institucional dhe shoqëror, me qëllim që krimet e luftës të mos mbesin të pandëshkuara dhe zëri i të mbijetuarve të dëgjohet më fuqishëm.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, theksoi se pavarësisht vështirësive të së kaluarës, sot qëndron përballë publikut për të kërkuar drejtësi dhe për të inkurajuar të tjerët të flasin.

Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, ka theksuar rëndësinë e daljes publike dhe adresimit të drejtësisë përmes mekanizmave ligjorë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Feride Rushiti, vlerësoi se kjo ditë tashmë është shndërruar në simbol të kujtesës kolektive dhe të angazhimit institucional për të mbështetur të mbijetuarit. Ajo potencoi se aktivitetet e shumta të organizuara nga institucionet synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimin e zërit të viktimave.

Kjo ditë u përmbyll me mesazhin se drejtësia për viktimat e dhunës seksuale mbetet një obligim i papërfunduar, ndërsa shoqëria kosovare vazhdon përpjekjet për të thyer heshtjen dhe për të garantuar dinjitet për të gjithë të mbijetuarit.

14 prilli është data kur u dhunua seksualisht Vasfije Krasniqi, e cila publikisht në vitin 2018 rrëfeu për tmerrin e përjetuar. Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Ndërkaq, Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026