Një grup veprimtarësh të pavarur dhe apartiakë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora kanë dërguar një letër të hapur udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Në këtë letër, ata kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për të adresuar sfidat e reja politike dhe ekonomike që po prekin rajonin.
Në letër theksohet mes tjerash se konteksti i ri gjeopolitik ka pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe zhvillimin në Evropën Juglindore. Përballë këtyre sfidave, është thelbësore që përfaqësuesit shqiptarë të zhvillojnë një strategji të përbashkët për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare, thuhet më tej në letër.
Letra e plotë i është dërguar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Po ashtu presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe kryetarëve të partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlamentet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë.
Letra e plotë dhe lista e nënshkruesve:Të nderuar përfaqësues të popullit shqiptar,
Konfliktet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, forcimi i shteteve BRICS, tensionet në skenën politike të Bashkimit Evropian, sidomos në Gjermani dhe Francë, si dhe rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po e ndryshojnë me shpejtësi rendin gjeopolitik global. Kthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të intensifikojë këto dinamika, duke sjellë ndryshime të thella në mënyrën se si ndërveprojnë shtetet dhe institucionet ndërkombëtare.
1. propozojmë krijimin e një platforme të përbashkët kombëtare, të përbërë nga përfaqësues legjitimë nga të gjitha trojet shqiptare, e cila do të identifikojë interesat dhe prioritetet strategjike shqiptare, duke ndërtuar një qasje koherente dhe të unifikuar për t'iu përgjigjur sfidave globale.
2. Ju ftojmë që këto qëndrime dhe prioritete t’i prezentoni në mënyrë proaktive para administratës së re amerikane, përfshirë Presidentin Trump, duke siguruar që zëri dhe interesat tona të jenë të përfaqësuara denjësisht në këtë rend të ri global.Me respekt,