Thellohet rënia e vlerës së investimeve në Trust, humbin mbi 170 milionë euro
Lexohet për: 2 min.
96121623163370
2 vite më parë
Linku u kopjua

Trendi i rënies së vlerës së kursimeve pensionale të qytetarëve në Trust nuk ka të ndalur. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës edhe më tej vazhdon të ketë rezultate negative në investimet e kursimeve pensionale në tregjet e huaja ndërkombëtare.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se deri në muajin shtator të këtij viti kthimi në investime në Trust ka rënë 170.5 milionë euro. Derisa në muajin gusht të këtij viti rëniet e këtyre investimeve kanë qenë 161.6 milionë euro.

Drejtues të këtij fondi, gjatë raportimit në Kuvend javë më parë, kishin deklaruar se ky vit do të jetë sfidues për aq kohë sa ka lëvizje të ndryshme të çmimit të njësisë në tregjet evropiane. 

Si rrjedhojë krizës energjetike dhe rritjes së normës së inflacionit në vend, në qershor të këtij viti pati pasur tentime në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin e ligjit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit deri në 30 për qind.  Megjithatë në seancën e kuvendit nuk pati kaluar Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Pas kësaj sërish ka pasur një iniciativë qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve dhe është proceduar një peticion në Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin e kërkesës së qytetarëve për tërheqjen e një përqindje të caktuar të këtyre mjeteve në Trust, por ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar se Qeveria dhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes do të jenë kundër kësaj iniciative.

Për tërheqjen e mjeteve të Trustit, dhjetë ditë më parë është protestuar nga një grup i vogël i qytetarëve në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024