Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pret që në fund të procesit gjyqësor të shfajësohet nga të gjitha akuzat të cilat rëndojnë mbi të.
Ai i ka thënë trupit gjykues se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e luftës por ka shtuar se viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit.
Thaçi ka përmendur raportin e senatorit zviceran Dick Marty ku përmendej “trafikimi i organeve dhe shtëpia e verdhë”.
Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar gjykata në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.
“Kam besim se ky proces do të jete i drejtë dhe transparente”, ka shtuar ai.
Me fjalimin e Thaçit ka përfunduar edhe paraqitja e deklaratës hyrëse nga ekipi i tij mbrojtës.
Ndërsa më vonë pritet që të flas pa betim edhe ish-deputeti Rexhep Selimi.