Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka mohuar deklaratat e kryetarit të Forumit Kombëtar Serb nga Graçanica Momçillo Trajkoviq, i cili në një intervistë për gazetën serbe Danas pretendoi se Komuna e Obiliqit është pjesë e organizimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, transmeton KosovaPress.
"Nga ana tjetër, kemi iniciativën e udhëheqjes së Komunës së Obiliqit, e cila është vetëm një balonë prove. Përpjekja që shqiptarët të 'përfshihen' në shënimin e Betejës së Kosovës është e pakuptimtë, antikivilizuese dhe manipulatore, pa asnjë bazë apo mbështetje historike. Supozoj se Turqia, si mbështetësja e tyre, i ka paralajmëruar të mos e bëjnë këtë, sepse faktet historike që ruhen në arkivat turke janë aq kokëforta, sa do të ishte njëkohësisht e trishtueshme dhe qesharake të pretendohej se në Gazimestan është zhvilluar një betejë mes shqiptarëve dhe turqve", ka thënë Trajkoviç për gazetën serbe Danas.
Ai cilëson qarkullimin e këtyre informacioneve si tendencë e Serbisë për të kthyer Vidovdanit në kohën e Millosheviqit.
Thaçi shtoi se kjo çështje ka për qëllim vetëm nxitjen urrejtjen mes popujve, e në veçanti siç thotë ai “kjo i shkon për shtati veç, Aleksandër Vuçiqit dhe politikës së tij”.Momçillo Trajkoviq është edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë, i cili ka qenë njeri nga politikanët kryesorë serb në Kosovë para dhe në një periudhë pas luftës së Kosovës.
Ndërkaq, ushtria e Serbisë do të organizojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade” më 28 qershor të këtij viti, ditë kjo që përkon me ‘Betejën e Kosovës’, apo të ashtuquajturën nga serbët “festë e Vidovdanit”.
Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë. Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare.
/KosovaPress/.