Sot janë bërë tetë vjet nga ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, figurës që la gjurmë të pashlyeshme si në fushën e blertë, ashtu edhe në historinë institucionale të sportit në Kosovë. Vokrri, i cili ndërroi jetë më 9 qershor 2018 në moshën 57-vjeçare, konsiderohet gjerësisht si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova dhe një nga personalitetet më të rëndësishme në rrugëtimin e futbollit kosovar drejt njohjes ndërkombëtare.
Ish-sulmuesi i njohur i Prishtinës, Partizanit dhe Fenerbahçes ishte president i Federatës së Futbollit të Kosovës në periudhën kur Kosova arriti anëtarësimin historik në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Për shumëkënd, ai mbetet simbol i futbollit kosovar dhe njeriu që e shndërroi në realitet ëndrrën e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Tetë vjet pa Legjendën e numrit 9. Ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e identitetit të një kombi. E një emër i tillë është padyshim Fadil Vokrri”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se Vokrri ishte futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova në vitet e 80-ta dhe se numri 9, të cilin e mbajti me krenari gjatë karrierës së tij, është lidhur përgjithmonë me emrin dhe trashëgiminë e tij.Kreu i FFK-së ka shtuar se Vokrri mbetet frymëzim, krenari dhe pjesë e përhershme e identitetit të futbollit të Kosovës. “Përherë në kujtimet tona. Përherë Legjendë”, ka përfunduar ai.