Sot mbushen tetë vjet nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, pas shpërbërjes së Kuvendit të atëhershëm, i cili kishte disa muaj që ishte jofunksional për shkak se Qeveria kishte humbur përkrahjen e shumicës.
Ishte data 7 maj 2014 kur koalicioni qeverisës PDK-AKR u shemb me iniciativë të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, pa dëshirën e presidentit të AKR-së, Behxhet Pacolli.
Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 7 maj 2014 me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime. Kjo shpërbërje e detyroi vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare 8 qershor 2014, ani pse nuk ishte hera e parë që vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet 2014 u mbajtën sipas ligjit të vjetër zgjedhor, pasi me gjithë reformën e filluar atëherë, udhëheqësit e subjekteve politike nuk arritën pajtueshmëri mbi ligjin e ri për zgjedhjet.
Menjëherë pas zgjedhjeve, LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, që në skenën politike njihen si VLAN, ishin barrikaduar kundër PDK-së, duke deklaruar njëzëri se nuk bashkëqeverisin me PDK-në. Madje kishin formuar një koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte parë jo-kushtetuese aktin e partive jo-fituese të zgjedhjeve dhe ua kishte pamundësuar atyre marrjen e drejtimit të Qeverisë. Sipas kësaj gjykata mandati për të krijuar Qeverinë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, e që në këtë rast ishte PDK.
Në dhjetor të atij viti, Isa Mustafa kishte pranuar ofertën e Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së. Marrëveshja parashihte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president republike pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.
Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor 2014, ku Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, e Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për Presidencë.