Të paktën tetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet ruse gjatë natës dhe në orët e para të së mërkurës në disa rajone të Ukrainës. Paralelisht, ushtria ukrainase njoftoi se goditi 20 anije ruse, përfshirë 17 cisterna nafte, në Detin e Zi.
Sulmet më të rënda u regjistruan në portin e Odesës, ku tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa.
Në qytetin verilindor të Sumy-t, tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimeve me bomba ajrore të drejtuara. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonet e Dnipropetrovskut dhe Zaporizhzhias.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e sulmeve në Odesa ishin infrastruktura portuale dhe objektet e përdorura për shkarkimin e naftës, vajrave dhe lubrifikantëve, duke pretenduar se ato shërbenin për nevoja ushtarake dhe logjistike.Sipas raportit të Misionit të Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë, gjatë muajit qershor u vranë të paktën 293 civilë dhe u plagosën 1,990 të tjerë.
Raporti thekson se raketat dhe dronët me rreze të gjatë veprimi ishin përgjegjës për 45 për qind të viktimave civile, shumica e të cilave u regjistruan larg vijës së frontit, në qytete si Kievi dhe Dnipro.