Në Kosovë sot u shënua Dita Botërore pa Duhan e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.
Kryeinspektorati sanitar, Ibrahim Tërshnjaku thotë se konsumi i duhanit sjell vetëm aspekte të dëmshme shëndetësore.
“Nga konsumi i duhanit kanë vetëm aspekte të dëmshme ekonomike, sociale dhe kulturore, pra përfitime kanë vetëm kompanitë transatlantike, të cilat kanë fitime marramendëse të shitjes së duhanit dhe kultivimi të tyre. Pra në këtë drejtim Kosova shkon në një trend të rritjes së konsumit të duhanit me të cilën është shqetësues për gjithë profesionistët shëndetësorë, sepse konsumi po fillon qysh në mosha të reja dhe mendohet nga 200 deri në 250 milionë kemi harxhim të shportës së konsumatorit, të cilat investohet në duhan, dhe 200 milionë të investimeve në aspektin shëndetësor të sëmundjeve malinje... Po t’i kemi dy duhanpirës në shtëpi, është vërtet një barrë e rëndë ekonomike për atë familje. Përveç shëndetit, prishet ekosistemi, pyjet, plantacione të ndryshme”, tha Tërshnjaku.
Sipas Tërshnjakut, në katër muajit e fundit, 760 restorante apo 10 për qind në Kosovë janë gjobitur për shkelje të Ligjit të Duhanit. Ai theksoi se planifikohen aksione të ndryshme për t’i targetuar subjektet që shkelin ligjin.
Ai tha se duhet të fillojmë të ndryshojmë mentalitetin me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve, dhe të kemi ndryshime kulturore në mënyrë dhe të ruhet shëndeti dhe ambienti.
“Që të zbatohet ligji edhe në zyrat shtetërore dhe publike, privatë, pra me këtë drejtim duke e ndryshuar mentalitetin që pa një kafe nuk shkon edhe pa një duhan. Të nisim moton që të konsumojmë një kafe pa duhan dhe kur kemi ndryshime kulturore të këtilla do të ngremë vetëdijen e qytetarëve, të ruajmë shëndetin dhe ambientin, por edhe xhepin tonë që të mos harxhojmë për një kosto kaq të lartë”, tha ai.