Tërnava në vigjilje të Kurban Bajramit: Lutemi për sa më pak luftëra
Lexohet për: 3 min.
BIK
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim  Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se kjo festë përçon mesazhin e paqes dhe të mirëkuptimit.

Tërnava u shpreh se festa e Kurban Bajramit tek ne vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme edhe shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin, vlera këto që i japin kuptim shoqërisë.

“Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohen drejtë nga të gjithë, lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa luftëra e çrregullime, festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit, e mirëkuptimit. Duke iu uruar për festën e madhe të Kurban Bajramit, lus për shëndet, mbarësi, begati, dashuri, e harmoni në familjet tona. Me fat e mbarësi festa e Kurban Bajramit!”, tha Tërnava.

Duke kujtuar haxhinjtë kosovarë që janë duke kryer një nga obligimet e fesë myslimane, Tërnava tha se ata së bashku me miliona besimtarë të tjerë po shprehin përkushtimin dhe adhurimin ndaj Zotit në formën më të mirë.

Kreu i BIK kujtoi edhe obligimin për prerjen e kurbanit dhe shpërndajen e mishit me familjarët e nevojtarët për të gjithë besimtarët që kanë mundësi.

Dita e parë e festës së Kurban - Bajramit, është të mërkurën, më 28 qershor 2023. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste do të mbahet në “Xhaminë e Madhe”, në Prishtinë.

Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min, ku mesazhin e Kurban - Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban - Bajramit do ta mbajë Selatin Mehani-pedagog në Medresenë “Alaudin”, në Prishtinë.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, më 28 qershor 2023, kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00-12:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024