Një zhvillim dramatik ka përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas dorëzimit të 148 nënshkrimeve në selinë qendrore të kësaj force politike. Delegatët kanë kërkuar zyrtarisht mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm me një synim të vetëm: shkarkimin nga detyra të kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut.
Në një video-adresim të menjëhershëm, vetë Abdixhiku theksoi se ka autorizuar sekretarin e përgjithshëm të partisë për të filluar pa vonesë procedurat e verifikimit të nënshkrimeve. Pasi të përfundojë ky proces, do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së kuvendit. Ai siguroi se nuk do t'i shmanget asnjë procesi demokratik dhe as përballjes me votën e delegatëve, pavarësisht faktit se 207 delegatë të tjerë nuk i janë bashkuar kësaj iniciative.
“Në këtë pikë, më duhet po ashtu, t'i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme, detyrohem t'i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës, që i prisnin me të drejtë tash e sa kohë. Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime”, tha ai.