Kriza e krijuar nga rritja enorme e çmimeve në vend si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, ka shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës që të propozojë një tërheqje deri në 30 përqind të kursimeve pensionale në Fondin Pensional të Kursimeve të Kosovës (Trust).
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, më 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi ka thënë për KosovaPress, se Fondi i Kursimeve Pensionale, e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.
“Ne duhet të kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona ligjore. Mandati i institucionit është të administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale derisa kontribuuesit dalin në pension. Dhe brenda këtij fushëveprimi ne i kryejmë obligimet tona ligjore nga institucionet, të cilat marrin vendime për kornizën dhe ambientin në të cilin veprojmë. Brenda këtij fushë veprimi, brenda këtij mandati, ne mund të komentojmë dhe japim vlerësimet tona. Jashtë këtij mandati nuk është në detyrën tonë të gjykojmë, të komentojmë, opinionet apo vlerësimet dhe qëndrimet e individëve, të organeve apo institucioneve tjera”, thotë Demi për KosovaPress.
Në anën tjetër qytetarët janë pro dhe kundër tërheqjes së mjeteve të Trustit.
Qytetari Fatmir Murati u pajtua që qytetarët kanë nevojë për tërheqjen e trustit, e bllokimin e trustit e konsideroi hajni.
Edhe Adriatik Krasniqi tha se është pro tërheqjes së mjeteve në TRUST, pasi që sipas tij, kjo do t’i ndihmonte qytetarëve për të dalë nga kriza.
“Dy vite ka qenë krizë pandemie, dhe kanë nevojë qytetarët dhe populli ynë që të dalin nga kjo krizë sado pak. Është një ndihmesë e mirë për popullin tonë”, tha Krasniqi
“Trusti është në të mirë të qytetarëve, sepse ai mundet me e marrë dhe me harxhu, dhe shoqërisë nuk i intereson fare nëse nesër i duhet apo jo. Ato duhet të ruhen në raste urgjente...Unë besojë që nuk kemi një herë krizë, krizat po i bëjmë më shumë vet, se sa që ka në të vërtetë. Ajo është në interes tonin, herë do kur ato mbetën të tonat dhe nuk humbin. Andaj unë do t’iu sugjeroja që të mos i tërheqin ata që nuk kanë nevojë”, tha Mjekiqi.
Ndërsa, kriza në tregjet e ndërkombëtare ka bërë që të bie vlera e investimit në kthim e Trustit rreth 4 përqind ose 90 milionë euro.
Kujtojmë se kontribut paguesit, 10 për qind të kursimeve, e kishin tërhequr në fund të vitit 2020.
Në atë kohë nga Trusti ishin tërhequr rreth 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut pagues.