Njohësi i çështjeve të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka reaguar ndaj një fotografie që, po shpërndahet nga grupe ekstremiste serbe për të paraqitur Policinë e Kosovës gjoja si keqtrajtuese ndaj pjesëmarrësve në shënimin e “Vidovdanit” në Gazimestan, të dielën.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se fotografia është nxjerrë jashtë kontekstit dhe se videoja nga e cila është shkëputur e rrëzon pretendimin.
"Jo keqtrajtim, por shihet komplet e kundërta, se si një zyrtar i Policisë së Kosovës mundohet ta qetësojë një fëmijë serb", ka shkruar Berisha.
E lidhur me videon nga e cila është shkëputur fotografia në fjalë, dje ka reaguar edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi. Sipas Kuçit, një veprim i tillë është pjesë e luftës hibride dhe se është kopje e regjimeve gjenocidale.Sipas Berishës, i pari ishte dështimi i përpjekjeve për tensionim të situatës gjatë shënimit të “Vidovdanit”, kur institucionet e Kosovës nuk lejuan shfaqjen e flamujve serbë dhe rusë.
Ndërsa si dështim të dytë ai përmend vizitën e disa studentëve serbë në Kosovë, të cilët, sipas tij, pas kthimit në Serbi deklaruan se serbët në Kosovë jetojnë në paqe dhe se presionin kryesor e kanë nga Beogradi.