Kryetari i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së kanë vizituar shkollën "Ismail Qemaili", në Prishtinë. Vizita është përcjellë me tensione pasi në mesin e mësimdhënësve, por edhe të prindërve që kërkuan ndërprerjen e grevës, duke thënë se paraja nuk është asgjë.
Kryetari i SBASHK-ut gjatë kësaj vizite ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka premtuar se do ta bëjë të pamundurën që ta bindë qeverinë të ulet të bisedojë për kërkesat e grevistëve, teksa shtoi se 50 eurot e ofruara nga Qeveria nuk janë kërkesë e sindikatës që ai drejton.
Ndërkohë që presidentja Osmani e kryeministri Kurti kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund grevës duke paralajmëruar miratimin e ligjit të ri për paga në Kuvend, kreu i SBASHK-ut Jasharaj u shpreh skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë sç shpejti për shkak të procedurave që nevojiten.
“Askush nga sindikatat nuk e ka parë kurrë ligjin, veç fjalët e tyre, e kemi kryer ligjin, koeficientet, njerëzit filluan të bëjnë me stilografë paga dhe defekti i këtij ligji është se nuk e kemi parë hiç. Të shkojë në parlament i duhet rreth katër muaj, pastaj e keqja është se atje po thotë se pas gjitha procedurave edhe kur del në gazetën zyrtare, duhet edhe tetë muaj të fillojë ligji, pra edhe nëse është ligji i mirë, hairin do t’ia shohim pas 16 muajve, e deri atëherë çmimet nuk po ndalen hatri ligjit”, tha ai.
“Marrëveshja që po dëshirojmë është politika jashtë arsimit... Por, të lutem për hir të fëmijëve kryetar, lësho pe kësaj here, ulu dhe bëhu me burrë, se ata që të fyen, tregoju që ne jemi ata dhe deri në fund, vetëm ne jemi ata njerëz me vetëdije të lartë që kurrë në jetë as nuk kemi përfituar prej këtij shteti, vetëm ne jemi të pathyeshmit, le ta dinë secila qeveri”, tha ajo.
Refiqe Hamiti, mësimdhënëse po ashtu në këtë shkollë është kundër grevës. Ajo kërkoi nga Jasharaj që të ndalet greva dhe të vazhdojë mësimi.
Mirëpo kreu i SBASHK-ut Jasharaj tha se pa dialogun social me Qeverinë nuk do të mbyllet greva.
Tensionet gjatë vizitës së sotme të kreut të SBASHK-ut në shkollën “Ismail Qemali”, nisën kur një prind i një nxënësi Musli Rexhepi është përplasur me Jasharajn, duke thënë se ai është fajtori kryesor për grevën në arsim.
“Mbesën time e kam regjistruar në klasë të parë këtë vit, erdha të pyes a po fillon mësimi apo jo. Hyra në sallë te mbledhja e sindikatës të arsimit, me mirëkuptim dhe jo me qëllime tjera. Armikun e këtyre nxënësve, se askënd tjetër nuk e ofendoj, vetëm atë personalisht, sepse ai ka marrë një kokëfortësi në veti dhe e ka ndarë arsimin në dy pjesë. Ky është armik...Nëse ka problem le të merret me qeverinë dhe jo me fëmijët tanë”, tha ai.