“Televizor në protestë”, punonjësit serbë nënshkruhen sërish në listën e evidencës në Zveçan
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Një televizor sapo ka arritur në Zveçan për protestuesit serbë të cilët ende po qëndrojnë para objektit komunal, raporton KosovaPress.

Mësohet se televizori ka ardhur nga një kompani nga veriu i Mitrovicës, si “dhuratë” për protestuesit serbë që po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Po ashtu, në ora 15:00 ka nisur sërish nënshkrimi në listën e evidencës, i të gjithë punonjësve serbë që punojnë në institucione publike në këtë komunë. Kjo pasi të njëjtit duhet të evidentohen që kanë qëndruar në protestë deri në përfundim të orarit të punës.

Kujtojmë se sot këta protestues kanë mbajtur në duar pankarta propaganduese në të cilat shkruanin se “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”.

Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe  30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri  të vendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024