Ndërtimin e unazës së jashtme në kryeqytet, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku e vlerësoi si ndër projektet kryesore dhe të parat që do të realizohet gjatë mandatit të tij, nëse i fiton zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Gjatë prezantimit të projekteve për Prishtinën, Abdixhiku tha se 5 miliardë euro do të ndahen buxhet për kryeqytetin, pasi që më 9 shkurt “shteti i Kosovës do i kthehet kryeqytetit me mbështetje të plotë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm që Republika Kosovës mbështetet nga kryeqyteti. Me 9 shkurt shteti i Kosovës i kthehet kryeqytetit me mbështetje të plotë. Ndërtimi i unazës është njëri ndër projektet e para që do ta realizojmë, kosto e ndërtimit 206 milionë ndërsa kosto e shpërndarjes 154 milionë euro. Projekti i dytë është spitali i ri i Kosovës. Një stadium kombëtarë përfshirë pallatin kombëtar, pishinë olimpike, fakultetin e edukatës fizike dhe një gaming hall. Ne kemi paraparë katër projekte të mëdha infrastrukturore, duke ndërtuar Teatrin e ri Kombëtarë të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shtoi se kryeqyteti ka njerëz që kanë vizion e qëllim, por sipas tij, në krye të shtetit nuk ka njerëz të tillë.“E dini si e kemi gjetur para tre vite e gjysmë. Nuk ka qenë vetëm duke fjetur por në rënie të lirë. Kemi bë lëvizje të mëdha në çdo sferë. Kryeqyteti ka njerëz që kanë vizion e qëllim por në krye të shtetit nuk kemi njerëz të tillë, shumë projekte janë sabotuar”, shtoi Rama.
Disa nga projektet e tjera ishin edhe mësimi tërëditorë, parku teknologjik, dyfishim i projektit të kogjenerimit.