Kompania publike, Telekomi i Kosovës njofton se sërish i janë bllokuar llogaritë nga Përmbaruesi Privat, për rastin Z-Mobile.
Telekomi bën të ditur se ‘bllokimi i llogarive është bazuar në vendime të padrejta dhe të ndikuara politikisht’.
Më tej në komunikatë thuhet se ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor.
“Edhe pse Telekomi i Kosovës ka bërë kallëzim penal në organet përkatëse të rendit si dhe publikisht në vazhdimësi e ka denoncuar këtë kontratë lidhur me pasojat e shumta negative që e njëjta ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë, për kompaninë nga skemat e organizuara për përfitime të grupeve të caktuara të interesit, fatkeqësisht deri më sot askush nga zyrtarët dhe personat e përfshirë në këtë skemë kriminale nuk ka dhënë llogari para gjykatës”.