Jetojnë në varfëri të skajshme e të margjinalizuar. Vazhdojnë të përballen me akses të kufizuar pothuajse në çdo aspekt të zhvillimit njerëzor. Thonë se askush deri tash nuk ka provuar t’i sjellë në gjendje afër normalitetit, ose t’u jap drejtim. Jetën e kuptojnë si diçka që është ‘e shkruar’, ndërsa krejt shpresat i kanë te Zoti dhe institucionet e reja. Përkundër varfërisë ekstreme dhe gjendjes së keqe, janë të lumtur. Ky është realiteti i komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian RAE në Mitrovicë, ku sapo të hysh në lagje, sheh shenjat e pabarazisë sociale.
Kur vazhdon ecën pak dhe afrohesh shtëpive të tyre, vëren përplotë hare, sepse përballesh me muzikën e zhanreve dhe gjuhëve të ndryshme, tingujt e të cilave nuk mungojnë pothuajse për asnjë moment.
“Jemi nëntë anëtarë, prej tyre tre fëmijë më shkojnë në shkollë, dy në shkollën fillore ‘Bedri Gjina’, njëri në shkollën e mesme ‘Frang Bardhi’. Jam i papunë, jetojmë me një pension të babës prej 180 euro, 80 euro paguaj rrymë me përmbarues. Sa i përket kushteve, jemi mesatar, por duhet me u mburrë me këtë që kemi. Të lumtur jemi, Allahu qysh ka thënë do të jetojmë”, tha ai.
Bashkim Jahiri, nxënës i shkollës së mesme nga kjo lagje, thotë se janë të varfër por të lumtur.
Artan Bajrami, një banor tjetër i lagjes, theksoi se janë nëntë anëtarë të familjes dhe asnjëri nuk punon. Thotë se gjinden disi, por jeta papunë është shumë e vështirë. Ai ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve gjegjëse, duke përmendur edhe deputetët romë, që ta vizitojnë dhe ndihmojnë këtë popull të varfër e të lënë anash.
“Jetoj vetë i nënti anëtarë në këtë lagje. Çka me thënë, vështirë e kemi papunë, kur është njeri papunë, normal vështirë e ka. Eh, prej stresit, kur ka njeri stres të madh, lëshon muzikë. Kisha bërë apel te komuna e Mitrovicës që ta vizitojë këtë vend, mos ta lëjë anash, ti ndihmojë këtij populli këtu. Edhe deputetët tonë romë, mos t’i nxejnë kariget e tyre, sepse dua të them se shkojnë vite, ndërsa nuk vinë ta vizitojnë këtë vend këtu dhe e lënë anash këtë popull të varfër”, ka thënë për KosovaPress Bajrami.
“E kisha lutë kryetarin e ri Bedri Hamzën që me ardhë me na vizitu, sepse shumë prej neve e kemi përkrahë në zgjedhje. Vallahi ma keq po e ma mirë jo. Tash na po shpresojna te Allahu edhe Albin Kurti që na ndihmon”, theksoi Toskaj.
Habib Hajdini, përfaqësues i komunitetit RAE në lagjen e romëve në Mitrovicë, ka përmendur papunësinë si problemin kryesor në mesin e shumë problemeve me të cilat ballafaqohet ky komunitet.
Ai ka kritikuar institucionet për mosinteresimin e tyre për këta banorë, ndërsa shpreson tash e tutje në mbështetjen e kryetarit të sapozgjedhur të komunës së Mitrovicës.
Muzikën që dëgjohet pothuajse në çdo shtëpi të lagjes, përkundër jetës së vështirë, ai e shpjegon në mënyrë interesante, duke thënë se është diçka shpresëdhënëse.
Vllaznim Hoti, specialist i mjekësisë familjare, i cili gati për një dekadë ka trajtuar banorët në atë lagje, thotë se niveli i higjienës te ajo popullatë, është diçka që e ka brengosur gjithmonë.
Sipas tij, banorët e asaj lagje janë pacientë jashtëzakonisht të disiplinuar, sidomos sa i përket terapisë. Ai ka pranuar se shumica në atë lagje janë të varfër, por jetojnë të lumtur.
Ndërkaq, psikologu, Artan Fejza, ka bërë të ditur për KosovaPress, se në bazë të studimeve të ndryshme, konstatohet shpeshëherë që njerëzit edhe atëherë kur nuk kanë pasuri të mjaftueshme, arrin të dinë të krijojnë lumturi me ato mjete sa kanë në dispozicion, duke krijuar relacione të mira me njerëz. Në këtë kontekst, shtoi ai, aspekti i lumturisë lidhet në një masë shumë të madhe me aspektin e të qenurit optimist.
“Specifikat e të qenurit të lumtur në konjukturat sociologjike dhe psikologjike e definojnë më së miri limurinë e individit në relacione që individi krijon me persona tjerë, në relacionet e mira që individi krijon me familjen, mjedisin, rrethin shoqërorë etj… Në shumë studime sociale konstatohet shpeshherë që njerëzit edhe atëherë kur nuk kanë pasuri të mjaftueshme ose të ekzagjeruar, arrin të dinë të krijojnë lumturi me ato mjete sa kanë në dispozicion, duke krijuar relacione të mira me njerëz dhe në këtë kontekst aspekti i lumturisë lidhet në një masë shumë të madhe me aspektin e të qenurit optimist ose jo”, sqaroi mes tjerash Fejza.
“Është një zonë bukur e dendur për nga numri i banorëve, por që marrë parasysh numrin e rasteve apo incidenteve të cilat raportohen, nuk është zonë që mund të theksojmë diçka të veçantë. Pra, mund të konsiderojmë lirisht se është një nga zonat më të qeta sa i përket rendit dhe sigurisë publike”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ndryshe, gjatë një studimi global për lumturinë dhe optimizmin të kryer pak vite më parë, hulumtuesit u befasuan me optimizmin e lartë tek shtresat më të varfëra në Afrikë dhe disa shtete aziatike.