23 prilli, Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave të Autorit, shënohet në mbarë botën si një moment reflektimi mbi rëndësinë e krijimtarisë, leximit dhe mbrojtjes së autorëve.
Që nga viti 2003, kjo ditë shënohet globalisht me qëllim promovimin e librave dhe forcimin e respektit për të drejtat autoriale, veçanërisht tek të rinjtë.
“Të drejtat e autorit janë të drejta, të cilat përcaktohen me Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Autori gëzon disa të drejta me vetë faktin e krijimit të veprës. Këto të drejta ndahen në dy grupe: të drejtat ekonomike dhe të drejtat morale, të cilat i mundësojnë autorit kontrollimin e shfrytëzimit të veprës së tij edhe kuptohet përfitimin financiar nga shfrytëzimi i kësaj vepre. Në të drejtat ekonomike hyjnë ta zëmë të drejtat e riprodhimit të veprës, të drejtat e shpërndarjes së veprës, të drejtat e adaptimit apo përshtatjes së veprës dhe të drejta të tjera që kanë të bëjnë me vepra të caktuara specifike. Këto të drejta, nëse marrim shembull konkret një libër, autori me rastin e shkrimit të atij libri i gëzon të gjitha të drejtat, të cilat përcaktohen me ligj. Mirëpo, në mënyrë që të jetësohet ai libër dhe të publikohet, ky autor nënshkruan ta zëmë një kontratë me një shtëpi botuese për botimin e atij libri dhe me këtë rast i bart disa të drejta të caktuara, së paku të drejtën e riprodhimit dhe të drejtën e shpërndarjes nga vetë autori tek shtëpia botuese”, tha Nezaj.
Në praktikë, ajo tha se të drejtat ekonomike përfshijnë aktivitete si botimi, shpërndarja, përkthimi dhe adaptimi i veprave, të cilat shpesh realizohen përmes kontratave me shtëpi botuese apo producentë. Ndërkaq, të drejtat morale garantojnë që autori të njihet gjithmonë si krijues i veprës dhe që ajo të mos cenohet apo ndryshohet pa pëlqimin e tij.“Ka shkelje të shumta të të drejtave të autorëve në praktikë, sidomos në Kosovë, marrë në konsideratë që krijimi i tërë sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit është relativisht i ri. Edhe përkundër asaj që ligji përkatës për mbrojtjen e të drejtave të autorit ka një kohë që ka hyrë në fuqi, mekanizmat të cilët e mundësojnë zbatimin e atij ligji akoma nuk janë tërësisht funksionalë. Nëse marrim shembull konkret rastin e librave, mund të them në krahasim me periudhat paraprake ndoshta shitja pirate e librave apo veprave autoriale është më e ulët sesa ka qenë, për shkak të ndërmarrjes së disa aktiviteteve nga organet kompetente për ndalimin e këtyre veprimeve ilegale siç janë shpërndarja e veprave pirate... Ekziston një perceptim, një kuptim që kopjimi i një vepre për qëllime personale është i lejuar. Një perceptim i tillë nuk është tërësisht gabim, sepse e vërtetë që ligji i përcakton disa përjashtime prej përdorimeve të paautorizuara edhe një ndër to është edhe përdorimi i — kopjimi i një pjese të librit për qëllime personale. Pra ligji e lejon që një pjesë e librit të kopjohet për qëllime personale, mirëpo ligji e kushtëzon këtë këtë kopjim me shpërblimin e duhur të të autorit për atë kopjim. “, tha Nezaj.
Ajo u shpreh se një ndër problemet kryesore mbetet keqinterpretimi i të drejtës për kopjim personal.
Avokatja po ashtu bën thirrje se autorët duhet të jenë më aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke përdorur mekanizmat ligjorë në dispozicion. Ajo tha se pa reagimin e tyre, shkeljet rrezikojnë të bëhen praktikë e zakonshme, duke dëmtuar jo vetëm krijuesit individualë, por edhe zhvillimin kulturor dhe kreativ të shoqërisë në tërësi.