Kryeministri i Kosovës pas takimi dy orësh me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se nuk kishte asgjë të re në takim.
Por, Kurti vazhdon të jetë optimist se me takime mund të arrijnë një marrëveshje, por jo nga takimi i sotëm.
Kurti tha se në momentin e propozimeve dhe iniciativave nga partitë e tjera, atëherë do të tregohet emri i propozuar.
“Tash ne jemi udhëheqës të subjekteve që janë demokratike dhe jemi transparentë sa i përket procesit. Duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Në momentin që propozimet, iniciativat, sjellin rezultat konkret, atëherë do të mund të përgjigjemi konkretisht për të arriturat”, tha Kurti.
Kurti tha se duke nxjerrë kandidatë në mënyrë absolute dhe të verbër e bën të pamundur marrëveshjen.
“PDK asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara. Vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër. Absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të verbër që të mos na tregojnë emrin paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen, prandaj uroj që në komunikime dbe takime kjo të ndryshojë”, theksoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.