Takimi në Bruksel, Kosova e interesuar për deeskalim dhe zbatim të plotë të marrëveshjes
Lexohet për: 4 min.
5fe50000-0aff-0242-1298-08d9a52125b6_w1200_r1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Depërshkallëzimi i situatës në veri dhe plani i sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, do të diskutohet të mërkurën në Bruksel, në takimin e radhës të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thonë se pas dakordimit të Bratisllavës kanë dëshmuar gatishmërinë për deeskalim të situatës në veri, andaj kërkojnë fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili sipas tyre duhet të jetë i drejtë, barabartë dhe i zbatuar në plotni.

Edhe në partinë në pushtet potencojnë nevojën për zgjidhje të tensioneve në veri, por nënvizojnë se largimi i tërësishëm i Policisë nga objektet komunale në veri duhet të reflektojë me heqjen e rrezikut në teren. Por, nga opozita adresojnë kritika ndaj Kurtit, siç thonë për manovrat e rrezikshme që po i ndërmerr në kuadër të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës koordinim me bashkësinë ndërkombëtare për hapat tutje në raport deeskalimin e situatës në veri.

"Takimi i radhës i procesit të dialogut pritet të mbahet ditën e mërkurë. Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratisllavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Në vazhdimësi po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim, siç e dëshmoi së fundmi dakordimi i Bratisllavës, dhe poashtu fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni", thotë për KosovaPress, Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvendëskyryeminsitrit Besnik Bislimi.

Takimin e nesërm në Bruksel e mirëpret edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili thotë për KosovaPress se Qeveria  është e interesuar për deeskalim të situatës në veri dhe për zbatim të plotë të marrëveshjes bazë.

Ai shton se institucionet kosovare kanë zbatuar tashmë të gjitha dakordimet e arritura javën e kaluar në Bratisllavë.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ferat Shala për KosovaPress adreson kritika ndaj kryeministrit Kurti për qasjen e tij në raport me dialogun me Serbinë.

Ai thotë se si pasojë e vendimeve të gabuara të Kurtit në raport me veriun e vendit dhe dialogun me Serbinë, Kosova sot është nën sanksione nga aleatët ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se bashkësia ndërkombëtare po pret më shumë konstruktivitet nga Qeveria për depërshkaëllzimin e situatës në veri.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Ai thotë se kryeministri Kurti ka dy rrugë në dialog, bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarw ose vazhdimin e vendimeve që izolojnë Kosovën në raport me botën demokratike.

Takimin e nesërm në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe kryenegociator serb, Petar Petkoviq, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

https://kosovapress.com/admin/bislimi-dhe-petkoviq-takohen-te-merkuren-ne-bruksel/

Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Si pikë e tretë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025