Takimi me terroristin Radoiçiq, Sanduloviq: Interpoli e SHBA ta ftojnë urgjentisht Gjuriqin për intervistim
Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë Nikola Sanduloviq ka reaguar pasi ambasadori i Serbisë në SHBA Marko Gjuriq është fotografuar së bashku me njeriun e kërkuar nga Interpoli për rastin Banjska, Milan Radoiçiq.
Ai në një shkrim në rrjetin social X, iu ka bërë thirrje Interpolit dhe SHBA të ftojnë urgjentisht Marko Gjuriq për intervistë dhe të hetojnë nëse ai ka qenë në dijeni apo i përfshirë në veprimet kriminale dhe terroriste të Radoiçiq në Kosovë.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Interpolit dhe SHBA, strukturat e sigurisë së të cilit kërkojnë të arrestojnë kriminelin dhe terroristin Milan Radoiçiq, të thërrasin urgjentisht Marko Gjuriq për intervistë dhe të hetojnë nëse ai ka qenë në dijeni apo i përfshirë në veprimet kriminale dhe terroriste të kriminelit dhe terroristit Milan Radoiçiq në territorin e Kosovës për shkak të marrëdhënies më se të dukshme dhe të ngushtë që të dy kanë prej shumë vitesh! Unë gjithashtu do të ftoja Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë dhe Thesarin amerikan të Shtetit të zhvillojë një bisedë me Gabriel Escobar për njohuritë e tij të mundshme në këtë temë, sepse edhe ai kishte një marrëdhënie shumë të mirë dhe intime me Marko Gjuriqin. Theksoj se Gabriel Escobar ka qenë në krye të të gjitha çështjeve dhe ngjarjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për 20 vjet dhe do të ishte thjesht e pabesueshme sikur të mos dinte asgjë për kontaktet dhe bashkëpunimin mes tyre. Nëse ai nuk di asgjë për këtë, çfarë është pastaj dhe për ke punoi për 20 vjet si kryenegociator amerikan midis Kosovës dhe Serbisë? Çfarë ka bërë kë 20 vjet?!”, ka shkruar Sanduloviq në X.
Fotoja me Radoiçiq, Gjuriq: Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës • KosovaPress
Ai ka pyetur ndërkaq zyrtarët evropianë dhe ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, se a është Gjuriq ende ambasadori më i mirë i Serbisë ndonjëherë.
“A mundeni ju, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, Richard Grenell e Gabriel Escobar të përshkruani këtë foto? A keni thënë ju ambasador Hill se Serbia kurrë nuk ka pasur ambasador më të mirë në SHBA sesa Marko Gjuriq. Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Serbisë, është parë duke darkuar me të kërkuarin nga Interpoli dhe ta sanksionuarin nga SHBA-ja, Milan Radoiçiq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ishte prapa sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”, ka shkruar Sanduloviq.
Ai tha se pret të shohë se cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie të qartë të lidhjes mes një krimineli të kërkuar nga Interpoli e një terroristi si Radoiçiq, me elitën e qeverisë serbe.
Ndryshe, Gjuriq përmes një reagimi në X ka thënë se nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje Kurtit dhe Sveçlës apo dhe njerëzve tjerë keqdashës për asgjë, porse do të ishte i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e kthimit të tij në Serbi.