Mustafa: Agresioni ruso-serb po përpiqet të gjejë vende të përshtatshme për përshkallëzim
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nuk i ka gjetur institucionet e as qytetarët në befasi, thotë ish-deputeti Rrustem Mustafa. Kjo sipas tij, për shkak se përshkallëzimet në rajon, dhe përtej, ka një kohë që janë duke ndodhur.
Mustafa, duke folur në një intervistë për KosovaPress, thotë se agresioni ruso-serb po përpiqet të gjejë vende të përshtatshme për përshkallëzim.
“Është sulm i rëndë, sulm që nuk i ka gjetur institucionet e vendit e as popullin e Kosovës në befasi, ngase ka një kohë të gjatë që përshkallëzimet në rajon dhe përtej rajonit janë duke ndodhur. Është sulm që neve na ka këndell dhe po mundohemi që të bëjmë preventiva e të angazhohemi që bashkë me miqtë tonë ndërkombëtarë të mos lejojmë këso sulme”, thotë ai.
Më 29 nëntor kanali i ujit i Ibër-Lepencit u dëmtua nga një shpërthim i madh.
Autoritetet e Kosovës e konsideruan sulm terrorist që vjen nga bandat e mbështetura nga Beogradi zyrtar.
Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar si dhe ka konfiskuar arsenal armësh dhe dëshmi të tjera që lidhen me sulmin.
Sipas Mustafës, ka një koordinim të mirë të të gjithë mekanizmave të sigurisë të institucioneve të vendit “bashkë edhe me KFOR-in dhe të tjerët që kanë interes për ruajtjen e vendit dhe qetësisë edhe për zhvillimin e sigurisë sa më mirë në vendin tonë”.
“Unë besoj që bashkë me miqtë tonë ndërkombëtar dhe djemtë tonë që janë kalitur nëpër trajnime në vendet më të mira perëndimore, kanë marrë përgjegjësitë e veta dhe po punojnë me të gjitha hallkat dhe strukturat për të ndaluar agresionin ruso-serb që po mundohet të gjejë vende të përshtatshme për të përshkallëzuar dhe për të shkaktuar probleme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, thotë ai.
Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi një vit pasi terrositët serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke e vrarë rreshterin Afrin Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit në Zvecan e kishte marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në një intervistë për KosovaPress, Mustafa flet edhe për projektligjet e miratuara së fundmi nga Qeveria e Serbisë, për “juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë”.
"Janë provimet e fundit të shtetit serb që me çdo mjet, me çdo kusht sulmoi vlerat e shtetit të Kosovës. Ata po përpiqen që ta tregojnë narracionin e tyre për vendin tonë, vendi ynë është i pavarur tani, ka krijuar njohje nga shumë shtete dhe ka miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjenden në rrugën e forcimit institucional të dukshëm që vërehet nga të gjithë dhe po mbështetet nga fuqitë kryesore të botës dhe ne nuk do ndalemi në forcim të shtetit dhe së drejtës dhe ecjes përpara", thotë Mustafa.
Ky veprim i Serbisë u kritikua edhe nga faktori ndërkombëtar.
Por, sipas Mustafës, Bashkimi Evropian tash e një kohë i bën lëshime Serbisë.
"Bashkimi Evropian ka një kohë të gjatë që i bën lëshime Serbisë. Unë nuk po jam i sigurt ta di pse, nëse mundet me qenë, sepse ka zëra që thonë që duhet joshur Serbinë për ta tërhequr nga aleancat me Rusinë, aleancat të cilat janë të vjetra, të cilat janë të mjeshtëruara jo vetëm tani por edhe historike, ata secilën herë, Serbia edhe më fortë lidhet me bllokun rus dhe unë e di që ajo është pjesë përbërëse e mekanizmave të Rusisë, nuk mundet me e arrit Evropa këtë. Ajo duket se është duke vepruar, mirëpo ka edhe mendime se ka njerëz, ka pushtete, ka qeveri nëpër Evropë, që janë afër ende me ndikim nga Rusia dhe Serbia", thotë ai.
Mustafa thotë se Kosova duhet t’i përgjigjet sfidave me zhvillim dhe mirë-organizim të shtetit.