Metodë e suksesshme dhe e domosdoshme për të tërhequr klientët, zgjeruar bashkëpunimin me partnerë, rritur produktivitetin dhe efikasitetin e bizneseve, po vlerësohet të jenë takimet e zhvilluara online.
Përparësitë e një takimi online në mes biznesit dhe klientit, janë mundësia e qasjes globale, efikasiteti i kostos, kursimi i kohës, fleksibiliteti dhe komoditeti që ofrojnë, avantazhe këto të cilat japin hapësirë për komunikim në kohë reale, ndarjen e ideve dhe nxitjen e një kulture inovacioni.
Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata joqeveritare ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’, dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, shumë gra morën instruksione nga më të ndryshmet në mënyrë që biznesi i tyre “të lulëzojë”, në këtë kohë ku konkurrenca çdo herë e më shumë po rritet.
Trajnerja e këtij projekti, Linda Baleta tha se komunikimi efektiv, i qartë, i thjeshtë dhe i saktë, janë ndër pikat kryesore që një takim online duhet të përmbajë. Baleta si të rëndësishëm potencoi përdorimin e duhur të teknologjisë për zhvillimin e takimeve online me klientë apo partnerë.
Përveç këtyre, Baleta potencoi se ndër komponentët e takimeve online janë teknologjia, komunikimi dhe angazhimi. Ajo shtoi se ndër platformat më të përdorura për zhvillimin e takimeve online janë: Zoom Microsoft Teams, Google Meet, rrjetet sociale duke përfshirë Instagram, Viber, Whatsapp të tjera, të cilat mundësojnë takime spontane, në kohë reale me klientë apo partnerët. Po ashtu, Baleta theksoi se në kohën e sotme digjitale, takimet online janë të domosdoshme në mënyrë që gratë në biznes të jenë më produktive, sa më afër klientëve dhe bashkëpunimit me partnerë.
“Takimet virtuale janë takime duke përdorur internetin dhe teknologjitë e ndryshme të komunikimit. Ato mund të realizohen si video konferencë ose audio. Synimi është ta bëjnë më të lehtë takimin, bashkëpunimin dhe vendimmarrjen. Në kohën e sotme digjitale, takimet online janë të domosdoshme në mënyrë që të jeni sa më produktiv, sa më afër klientëve dhe bashkëpunimit me partnerë. Ndër komponentët e takimeve online janë teknologjia, komunikimi dhe angazhimi. Të zgjidhni teknologjinë e duhur që iu përshtatet që të siguroni komunikim pa probleme. Ndër platformat më të përdorura, kemi Zoom Microsoft Teams, Google Meet, por mund të shfrytëzohen fare mirë rrjetet sociale, mjetet e komunikimit instant si Viber, Ëhatsapp. Këto mënyra mundësojnë takime spontane në kohë reale me klientë apo partnerët. Komunikimi efektiv, i qartë, i thjeshtë dhe i saktë janë ndër pikat kryesore që një takim online duhet të përmbajë”, theksoi Baleta.
Përgatitja e materialeve të nevojshme, mjedisit, konfigurimi teknik, veshja e duhur, mënyra e të folurit dhe paraqitja, janë komponentë të tjerë që përbëjnë një takim virtual efektiv. Cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe tutje me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, në të cilët do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit.