Tahiri: Raportet me ShBA-të kanë rënë poshtë për fajin e Kurtit
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova ka cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë ish-kryenegociatorja Edita Tahiri. Sipas saj, asnjëherë Kosova nuk ka pasur raporte të tilla me aleatin më të madh të vendit. Teksa flet për deklarimin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O'Brien, Tahiri konsideron se paralajmërimi i tij është alarmant e shqetësues. Ish-ministrja për dialog, fajëson kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quan mashtrues e të padijshëm. Në intervistën për KosovaPress, ajo vlerëson se opozita duhet të jetë e bashkuar dhe qytetarët duhet të organizojnë protesta për të kundërshtuar qasjen e tillë të shefit të ekzekutivit me aleatët ndërkombëtarë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, thotë se nga vet ShBA-të, është thënë hapur që janë cenuar marrëdhëniet mes të dyja vendeve.

Edita Tahiri, që dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel konsideron se Kurti është anti-amerikan dhe nuk dihet se ku e ka të kthyer drejtimin.

Megjithatë, Tahiri deklaron se vendimi i institucioneve vendore për ndalimin e dinarit serb është i drejtë. Por, ajo konsideron se është dashur të bashkëpunohet  me aleatët për shtyrje të zbatimit.

Ish-ministrja për dialog flet edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku shprehet se për herë parë në histori, Kosova është kritikuar nga aleatët.

Sipas Tahirit, shefi i ekzekutivit e ka përgatitur elektoratin e vet me bindjet anti-amerikane. Për cenimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo fajëson kryeministrin Albin Kurti.

Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri vlerëson se qeveria ka dështuar jo vetëm në dialog.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb. Më pas, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk ka partner, aleat e as mik më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë gjatë javës që shkoi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier deklaroi se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024