Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Ligji i Pagave mund të shpëtojë nga kontestimi i Kushtetueses vetëm me vlerën e koeficientit prej 129 euro. Sipas kësaj partie, kjo vlerë po mbahet e fshehtë dhe 80 mijë shërbyes publik nuk dinë ende për pagat e tyre. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e konsideron të papranueshme mos-përcaktimin e vlerës së koeficientit.
"Kaloi edhe një javë, edhe një mbledhje e qeverisë pasi që Ligji për Pagat është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe ende vazhdon të trajtohet në mënyrën më të fshehtë, sekrete dhe jo transparente vlera e koeficientit. Është e papranueshme që 80 mijë shërbyes publik të këtij vendi tash e dy vjet, të jenë në ethe dhe të mos e dinë pagën e tyre, rrogën e tyre, duke e ditur se ekziston një ligj. Është e papranueshme që të mos përcaktohet vlera e koeficientit kur ligji është në fuqi dhe është i nënshkruar nga presidentja", tha ai.
Ai u pyet edhe për vlerën e përmendur prej 120 euro, për çka tha se deri më tani nuk e kanë kontestuar këtë ligj meqë nuk e kanë ditur vlerën e koeficientit.
Sipas tij, AAK nuk e ka qëllim që ky ligj të rrëzohet, ku shtoi se vlera prej 129 euro e shpëton ligjin. Tahiri është i bindur për kontestimin edhe në disa nene të tjera.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka një porosi për kryeministrin dhe qeverinë: në mënyrë që ky ligj të shpëtohet nga kontestimi në Gjykatë Kushtetuese, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, në mënyrë që të mos ketë rënie drastike të pagave dhe elementi i parikueshmërisë në bazë të rritjes që mund të shkoj vit për vit ta përmbledh. Kjo e ka një përjashtim, përjashtimi është tek gjykatësit dhe prokurorët, sepse për gjykatësit dhe prokurorët ekziston një vendim i gjykatës që kurdo që të kontestohet ata do të kthehen në pagat që i kanë pasur ", deklaroi ai.