Tahiri: Kurtin edhe zvarrë me tërheq nga zyra, nuk heq dorë nga xhipi i zi
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri ka folur mbi mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti nga detyra e tij dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se dorëheqja është opsioni i vetëm për zgjedhje të parakohshme, por kjo nuk do të ndodhë, pasi sipas tij, shefi i qeverisë aktuale nuk heq dorë nga privilegjet që gëzon.
“Kurtin edhe zvarrë me tërheq nga Zyra e Kryeministrisë, ai nuk heq dorë nga privilegjet e shumta e nga xhipi i zi që dikur e 'urrente'”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka kërkuar nga partitë opozitare të bashkohen, duke thënë se suksesi i tyre do të arrihet vetëm atëherë kur ato nuk do të merren me njëra-tjetrën, por do ta “detyrojnë qeverinë” të përgjigjet në pyetjet e shumta që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve gjatë këtyre tri vjet e gjysmë qeverisjeje.
“Ne si parti do të shtrojmë pyetje e do ti ofrojmë alternativat. Aleanca i ka alternativat, do ti shihni e do ti debatojmë tani e tutje”, ka shtuar Tahiri, teksa ka shtruar pyetjet mbi punën e qeverisjes Kurti 2.
“A jeni duke jetuar më mirë se para tri viteve? Çka ka ndryshuar në jetën tuaj në sektorin e shëndetësisë, a e keni Ligjin e Sigurimit Shëndetësor? Çka ka ndryshuar në sektorin e arsimit? Çka ka ndryshuar te policët e Kosovës, te shërbyesit civilë? Çka ka ndryshuar në ekonomi? A e keni jetën më të mirë apo është vështirësuar për shkak të pagës së ulët dhe çmimeve të larta? Jeta juaj a është bërë më e sigurt apo e pasigurt për shkak të eksperimentimit të qeverisë në aspektin e sigurisë? Marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në dhe Unionin Evropian a janë më të mira se para tri viteve? Çka u thotë qytetarëve të Podujevës për rrugën, të cilët bëjnë dy orë rrugë derisa të shkojnë nga Prishtina në Podujevë? Çka u thotë qytetarëve të Gjakovës, të Gjilanit, të Mitrovicës?”