Tahiri: Kurti po e përfundon mandatin pa asnjë projekt zhvillimor
Lajme
Lexohet për: 2 min.
23 orë më parë
Linku u kopjua
Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka quajtur të dështuar qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit Albin Kurti.
Ai gjatë debatit parlamentar për katër vjet qeverisje tha se Kurti po e përfundon mandatin pa asnjë projekt zhvillimor, derisa fjalimin e tij e kualifikoi si prezantim që duhej bërë në nivel ministri apo sekretari.
Ai tha se Kosova gjendet për herë të parë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se si pasojë e kësaj, Kosova ka mbetur pa përfituar asnjë fond të para anëtarësimit në BE.
“Përderisa Shqipërisë i janë ndarë 900 milionë euro deri në vitin 2025, fonde të para anëtarësimit, ne nga qershori i vitit 2023 e deri sot që po flasim, të vetmet mjete që BE-ja i shpenzon në Kosovë janë pagat e stafit. Asgjë tjetër. Këtu e ka sjell subjektivitetin ndërkombëtar kryeministri jonë. Më e dhimbshme se kjo është raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
Në anën tjetër, ai theksoi se politika e jashtme ka dështuar nën qeverisjen e Kurtit.
Krahas kësaj, ai tha se kreu qeveritar ka rrezikuar edhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tahiri po ashtu përmendi edhe migrimin e qytetarëve që sipas tij ka ndodhur më së shumti gjatë qeverisjes së Kurtit.