Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se s’ka punuar asgjë për të lehtësuar votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, i cili është miratuar vitin e kaluar. Sipas partisë së Ramush Haradinajt, kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar se nuk e ka më mbështetjen e diasporës, andaj nuk po ndërmerr veprime për ta zbatuar ligjin në praktikë. Në anën tjetër, nënvizuan sërish se nuk do të përkrahin asnjë mocion për shpërndarje të Kuvendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për medie të mërkurën, tha se Qeveria e Kosovës s’ka bërë asnjë hap konkret për zbatimin e ligjit.
Kritike u shfaq edhe deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se qeveria qëllimshëm po e zvarrit edhe sjelljen në Kuvend të ligjit për diasporë.
Ndërkaq, kryedeputeti i AAK-së, Besnik Tahiri duke paraqitur kundërshtimin për shpërndarjen e Kuvendit, tha se me kryeministrin Albin Kurti janë të gatshëm të flasin për tema nacionale, por jo për këtë çështje.