Sveçla reagon për aksionin e policisë në disa zona kufitare
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se aksioni policor që ndodhi mëngjesin e kësaj të enjte në zonat kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veri (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan) dëshmon forcimin e shtetit ligjor, parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të mallrave përmes rrugëve ilegale.
Sveçla përmes një komunikate për medie ka thënë se përmes vazhdimit të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe zbatuesmërisë së ligjit, institucionet e Kosovës kujdesen për mirëqenien dhe krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për angazhimin e pakursyer në parandalim të kontrabandës dhe aktiviteteve tjera kriminale. Si Ministër i Punëve të Brendshme përgëzoj Policinë e Kosovës në realizimin e suksesshëm të planit operacional në parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe të gjitha formave të kontrabandës, që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo dëshmon forcimin e shtetit ligjor, parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të mallrave përmes rrugëve ilegale, duke mbyllur dhe pamundësuar rrugët ilegale të shfrytëzuara nga kontrabanduesit. Përmes vazhdimit të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe zbatueshmërisë së ligjit, institucionet e Republikës së Kosovës kujdesen për mirëqenien, shëndetin dhe krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përfshirë ata që jetojnë në zonat kufitare”, ka shkruar Sveçla.