Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se ka nxjerr vendim përmes së cilit shpallet non grata Snezana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë pas deklaratës së saj “po të ishte në vend të Millosheviqit do të spastronte etnikisht Kosovën”.
Postimi i plotë:
Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.
Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës.Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.