Supremja vulos burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja vulos burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën
27/02/2026 - 14:30
Linku u kopjua

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa, duke vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për veprën penale “vrasje e rëndë” në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Vendimi është marrë në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, ku kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, pretendimeve të mbrojtjes, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka vendosur të lërë në fuqi aktgjykimet e gjykatave më të ulëta.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky vendim ishte konfirmuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe përmbajnë arsyetime të qarta e të detajuara. Gjykata ka konstatuar se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor – përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima – dëshmojnë se viktima ka qenë në gjendje të rënduar fizike dhe se lëndimet janë shkaktuar nga veprime të dhunshme të të akuzuarit.

Raporti i autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë kanë konfirmuar se vdekja e M.O. ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Gjykata ka theksuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, por ka konstatuar se ato nuk janë mbështetur me prova që do të vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se i akuzuari nuk ka pasur çrregullime mendore të karakterit psikotik dhe ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës.

Në përfundim, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026