Një zjarr i madh ka përfshirë portin e peshkimit të Mantës në provincën Manabi në Ekuador, duke shkatërruar dhjetëra anije dhe duke shkaktuar panik në një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë së peshkimit në Paqësor.
Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen në zonën portuale dhe u përhapën me shpejtësi në anijet e ankoruara, të cilat në pjesën më të madhe ishin të ndërtuara me materiale të ndezshme si fibra qelqi. Deri tani raportohet se të paktën 35 anije peshkimi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë.
Nga incidenti janë plagosur disa persona, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spitalet lokale. Sipas autoriteteve, disa prej tyre kanë pësuar djegie, por ende nuk ka detaje të plota për gjendjen e tyre shëndetësore.
Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës kanë punuar për orë të tëra për të vendosur flakët nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në pjesën tjetër të portit dhe infrastrukturës përreth.Autoritetet ekuadoriane kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat e incidentit dhe për të vlerësuar dëmet, të cilat pritet të jenë të konsiderueshme për ekonominë lokale dhe industrinë e peshkimit në zonë.